Gjatë disa muajve të fundit, rrjeti i 34 zyrave rajonale të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve ka marrë një pamje të re. Kushtet e punës së këtyre zyrave që më parë ishin sfiduese dhe kufizuese, janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme me rinovimin e hapësirave të punës, instalimin e njësive të reja të ajrit të kondicionuar të tipit inverter dhe duke shtuar pajisjet e TI-së me performancë më të lartë. Për stafin, ky ndryshim ka qenë një sukses i madh. “Përmirësimi ka qenë jashtëzakonisht befasues”, thotë stafi i ZR në Tetovë, Arben Fejzuli, “kjo do të përmirësojë reagimin tonë dhe do të na mundësojë të punojmë në mënyrë shumë më efektive në të ardhmen”.
Ky riparim infrastrukturor ishte rezultat i një iniciative që synonte mbështetjen e KSHZ në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të forcuar kapacitetet teknike dhe njerëzore të zyrave dhe degëve të saj rajonale. Iniciativa ishte pjesë e projektit Mbështetje për reformat zgjedhore të Ambasadës të Zvicrës/Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, e realizuar nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES) dhe KRNM.
Rampat e për mobilitet të instaluara për të përmirësuar qasjen në ZR për personat me aftësi të kufizuara
Në bazë të vlerësimeve të detajuara të nevojave specifike të secilës zyrë rajonale, IFES organizoi sigurimin e një pakoje mbështetëse të parashikuar për të përmirësuar dhe modernizuar mjediset e punës, për të përmirësuar qasjen e tyre, për të rritur saktësinë në aspekt të kohës dhe të punës dhe për të përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm të stafit. Pakoja mbështetëse përbëhej nga njësitë e kondicionimit të tipit inverter, printerë multifunksional, kompjutera desktop, kompjutera laptop, karrige për zyrë, tavolina, dysheme prej laminati, kabinete për të mbajtur dokumentet dhe rampa për qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Iniciativa u realizua në periudhën nga korriku deri në nëntor të vitit 2021.
Mobiljet dhe pajisjet e reja të zyrës tashmë janë vënë në përdorim në ZR në Karposh
“Donacioni ishte me të vërtetë shumë i nevojshëm”, thotë Snezhana Kiçevska, nëpunëse për zgjedhjet në ZR në Karposh “Tani muret janë lyer sërish dhe dritaret e reja më në fund bëjnë të mundur ajrosjen e zyrave, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore kur mund të kemi deri në 1200 vizitorë që qarkullojnë në ditë; kemi gjithashtu mobilje dhe pajisje të reja të zyrës. Si rezultat, rrjedha e punës tashmë është dukshëm më e shpejtë, më e lehtë dhe është përmirësuar cilësia e rezultateve”.
Pajisje të TI-së me performancë më të lartë të instaluara në 34 ZR
Pajisjet moderne kompjuterike dhe njësitë e kondicionimit të arjit ishin vendosur edhe në ZR në Koçan. Zyra ndodhet ne nje ndertesë të vjetër pa izolim te pershtatshëm, duke e bërë praktikisht te pamundur punën gjatë verës. Ne u gëzuam së tepërmi për marrjen e kësaj ndihme, pasi jo vetëm që krijonte kushtet e duhura të punës, por edhe përmirësonte cilësinë e punës sonë. . Në të ardhmen, puna jonë do të jetë më efektive, do të jemi më të motivuar dhe më të suksesshëm gjatë proceseve zgjedhore”, thotë Snezhana Haxhi Paunova, Udhëheqëse në ZR në Koçan.
Në muajt e ardhshëm, IFES gjithashtu do të organizojë seminare për edukimim e të punësuarve në KSHZ dhe zyrat e saj rajonale duke u fokusuar në përforcimin e kapaciteteve të stafit administrativ. Temat do të përfshijnë menaxhimin e zgjedhjeve, përvojat ndërkombëtare dhe nacionale, organizimin dhe komunikimin efektiv, menaxhimin e listës zgjedhore, konfidencialitetin e të dhënave, higjienën kibernetike dhe sigurinë e zgjedhjeve dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.
Më shumë për projektin: Mbështetje për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut është një projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), që synon të mbështesë proceset zgjedhore demokratike dhe të besueshme që lehtësojnë pjesëmarrjen politike dhe integrimin social duke u mundësuar votuesve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i mbajnë ata llogaridhënës. Projekti është fokusuar në forcimin e institucioneve pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, demokratizimin e brendshëm të partive politike dhe edukimin qytetar.