Vetëqeverisja vendore është niveli më i afërt i pushtetit me popullin. Nuk matet me fjalime madhështore, por me ndryshime të mirëfillta, të prekshme – rrugë të asfaltuara, kopshte të reja, transport publik të sigurt dhe të besueshëm, trotuare të qasshme dhe hapësira publike të ndriçuara mirë. Këto janë vendimet që e formësojnë jetën e përditshme të njerëzve dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës në komunitet.
Por çfarë thonë shifrat për pjesëmarrjen e grave në politikën lokale?
Megjithëse gratë përfaqësojnë mbi gjysmën e popullatës në Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja e tyre në jetën publike dhe në proceset e vendimmarrjes lokale është ende larg barazisë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, vetëm 8% e kandidatëve për kryetarë komunash ishin gra. Vetëm dy gra u zgjodhën kryetare komunash dhe gratë përbëjnë vetëm 36% të anëtarëve të këshillave lokale, duke rënë nën 25% në disa rajone.
Këto shifra pasqyrojnë pengesat e thella strukturore: stereotipet gjinore, diskriminimin, mendësitë tradicionale dhe qasjet e kufizuara në burime. Gratë shpesh përballen me barrën e dyfishtë të përgjegjësive familjare, mbështetjen e pamjaftueshme të krerëve meshkuj të partisë dhe dinamikën brendapartiake, që kufizojnë përparimin e tyre në politikë. Megjithatë, mu në ato hapësira sfiduese, dëgjohen zërat e guximshëm të grave të cilat refuzojnë të pranojnë status kuonë dhe luftojnë për pjesëmarrje dhe ndikim të barabartë.
Kur gratë udhëheqin, komunitetet përparojnë
Historitë e grave aktive në politikë janë dëshmi se ndryshimi i vërtetë fillon në nivelin lokal, aty ku politikat janë më të lidhura me jetën e përditshme të njerëzve.
Marta Gjorgjievska, këshilltare në Komunën e Manastirit, prezantoi “Butonin e rasteve urgjente”, një sistem që lejon ndërhyrje të shpejtë në situata krize.
“U kyça në politikë sepse besoj se vetëqeverisja lokale ka fuqinë për të përmirësuar drejtpërdrejt jetën e njerëzve. Doja të isha pjesë e këtij ndryshimi”, tha Marta.
Fatlume Nuredini, këshilltare në Komunën e Likovës, mbështeti dhe ndihmoi për sigurimin e ujit të pastër dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale, ndërsa rezultatet konkrete rrjedhin falë angazhimit të saj të fuqishëm për drejtësi sociale dhe kushte të barabarta për të gjithë.
“Kur pashë padrejtësitë në jetën e përditshme, veçanërisht mungesën e ujit, fshatrat e lëna pas dore dhe politikat selektive, e dija se duhej të veproja. Angazhimi im vinte nga dëshira për të siguruar që çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia etnike apo prejardhja shoqërore, të ketë qasje në kushtet themelore të jetesës’’, tha Fatlumja.
Historia e saj tregon se politika lokale mund të jetë një mjet i duhur për transformim, veçanërisht kur gratë inkurajohen të udhëheqin dhe të sfidojnë sistemet që margjinalizojnë komunitetet.
Teodora Radonçiq, këshilltare në Qytetin e Shkupit, është një zë i fuqishëm për gratë e reja në politikë. Ajo jo vetëm që i inkurajon ato të mos presin më për lejen për pjesëmarrje, por edhe krijon në mënyrë aktive hapësirë për përfshirjen e tyre më të barabartë.
“Çdo grua që hyn në politikë e hap një derë për dhjetë të tjera. Mos pritni t’ju ftojnë, luftoni për vendin tuaj në tryezë. E nëse nuk ju japin, ndërtoni vendin tuaj”, deklaroi Teodora.
Mesazhi i saj pasqyron një ide thelbësore: kur gratë mbajnë të paktën 30% të pozicioneve vendimmarrëse, ndryshimi i vërtetë bëhet i mundur. Lidershipi i grave nuk është vetëm sukses personal, por hap rrugën për të tjerët dhe kontribuon për një politikë më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.
Fortesa Sejdini, këshilltare në Komunën e Kërçovës, mbështeti financimin e ndërtimit të sistemit të kanalizimit në një fshat që i mungonte infrastruktura bazike për dekada të tëra. Falë përpjekjeve të saj, komuna investoi 1 milion euro në projekt.
“Ky projekt dëshmon se me këmbëngulje dhe me prioritete të duhura, ne mund të sjellim ndryshime të vërteta në çdo komunë”, tha Fortesa.
Historia e saj vërteton rëndësinë e grave në rolet vendimmarrëse, ku ngrihen çështjet kritike dhe shpërndahen mjetet publike. Kur gratë përfaqësohen në mënyrë kuptimplotë, ato shpesh mbështesin projekte gjithëpërfshirëse që u sjellin dobi si grave ashtu edhe burrave, duke krijuar politika lokale më të drejta dhe më të përgjegjshme.
Sanja Nestorovska Llazarova, këshilltare në Komunën e Aerodromit, angazhohet për transparencë më të madhe në veprimtarinë komunale, duke përfshirë transmetimet e drejtpërdrejta të seancave të këshillit.
“Qeverisja vendore nuk duhet të veprojë në hije. Qytetarët meritojnë të dinë se kush i ndjek rregullat dhe kush nuk i ndjek. Jam këtu për të siguruar se nuk ka agjenda të fshehura”, tha Sanja.
Transparenca jo vetëm që ndërton besimin e publikut në institucionet, por është edhe një kusht kryesor për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë. Proceset e hapura dhe të përgjegjshme zvogëlojnë hapësirën për favorizim dhe diskriminim dhe nxisin një mjedis ku gratë mund të marrin pjesë, të udhëheqin dhe të dëgjohen në mënyrë të barabartë.
Burrat duhet të jenë aleatë të zëshëm për barazinë
Jetmir Asani, kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit, angazhohet për rritjen e pjesëmarrjes së grave të reja në këshillat vendore dhe për mundësi të barabarta për të gjithë.
“Prania e grave të reja në këshillat vendore është thelbësore për ndërtimin e komuniteteve gjithëpërfshirëse. Ato sjellin energji të freskëta dhe ide të reja”, tha Jetmiri.
Qëndrimi i tij pasqyron rëndësinë e burrave si aleatë në luftën për barazi gjinore. Mbështetja dhe angazhimi i meshkujve janë thelbësore për rrënimin e barrierave dhe ndërtimin e mjediseve politike ku gratë dhe burrat kanë mundësi të barabarta për të marrë pjesë dhe për të udhëhequr. Kur përfshihen të gjithë, institucionet bëhen më të drejta, më gjithëpërfshirëse dhe më të përgjegjshme ndaj nevojave të njerëzve.
Nenad Matevski, këshilltar në Komunën e Qendrës, thekson se përfshirja e grave në të gjitha aspektet e vendimmarrjes lokale, nga politika sociale deri te planifikimi urban, sjell vlerë të shtuar dhe rezultate më gjithëpërfshirëse.
“Kur gratë përfshihen në vendimmarrje, prioritetet ndryshojnë. Por roli i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në fusha ‘të buta’ si arsimi, shëndetësia ose kujdesi social. Gratë duhet të jenë pjesëmarrëse të barabarta edhe në formësimin e politikave ekonomike, infrastrukturës dhe sigurisë. Politika nuk mund të jetë një klub burrash”, tha Nenadi, duke nënvizuar faktin se vetëm me perspektiva të larmishme gjinore në të gjitha fushat e politikave mundësohet të merren vendime të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë nevojat e tërë popullatës.
IFES – Pas çdo gruaje të fuqizuar qëndron një rrjet mbështetës
Përmes Programit zviceran për mbështetje të zgjedhjeve, që zbatohet nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), qindra gra në të gjithë vendin kanë marrë trajnime për lidership, qasje në mentorim, dukshmëri për punën e tyre, burime për angazhim në komunitet dhe nxitje për të kandiduar për funksione. Platforma jonë i dedikohet demokracisë, përfaqësimit dhe zgjedhjeve të ndershme.
Zgjedhjet lokale në tetor 2025 ofrojnë një mundësi për të hapur hapësirë për përfshirjen kuptimplote të grave në politikë, jo vetëm si kandidate, por edhe si krijuese të politikave që u përgjigjen nevojave reale të komuniteteve, si të grave ashtu edhe të burrave.
Gratë duhet të jenë të pranishme aty ku merren vendimet, në këshillat, në lidershipin ekzekutiv dhe në kuadër të strukturave të partisë. Por prania e tyre duhet të jetë më shumë sesa simbolike, duhet të jetë ndikuese, e barabartë dhe substanciale.
Partitë politike, si aktorë kryesorë në këtë proces, duhet ta njohin vlerën e zërave politikë të grave. Duhet të krijojnë kushte për barazi të mirëfilltë gjinore, jo vetëm për përmbushjen e kuotave, por për faktin se politikat gjithëpërfshirëse janë më të fuqishme, më të drejta dhe më efektive.
Tani është koha të inkurajojmë, mbështesim dhe motivojmë më shumë gra që të kandidojnë, të organizojnë dhe të udhëheqin. Sepse politika lokale është një mjet për ndryshim, por vetëm nëse ka vend për të gjithë.
“Gratë nuk janë vetëm numra për plotësimin e kuotave, ato janë bartëse idesh, vizionesh dhe transformimesh. Zgjedhjet lokale janë një mundësi që shumë gra të angazhohen mirëfilli në politikë: si kandidate, si nxitëse të politikave dhe si vendimmarrëse aktive. Që kjo të ndodhë, partitë politike duhet të njohin vlerën e mirëfilltë të lidershipit të grave dhe të krijojnë hapësirë për pjesëmarrjen e tyre kuptimplote, e jo simbolike: në çdo këshill, në çdo komunë dhe në çdo vendim që formëson jetën e komunitetit.”
* 36% gra në këshillat komunalë
Burimi: Raporte (2021–2023) nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), IFES, dhe UN Women
** Në disa rajone, përfaqësimi bie nën 25%
Burimi: IFES Maqedoni, “Hartëzimi i Përfaqësimit të Grave në Nivelin Lokal” (2023)