Kjo mund të mos funksionojë këtu .” Këto ishin fjalët që dëgjonte shpesh Martina Jaçevska kur ndante një ide se si të ndikonte pozitivisht në vendlindjen e saj, Probishtip. Ajo ishte ambicioze dhe progresive dhe donte të ofronte mënyra alternative për t’i bërë gjërat më mirë për komunitetin e saj.

“Njerëzit më thoshin se kjo është punë dhe përgjegjësi e komunës”, tha Jaçevska. “Unë mund të përpiqem, por nuk duhet të kem shpresa të mëdha.”

Por kur Jaçevska doli vullnetare jashtë vendit, njerëzit inkurajuan idetë e saj dhe aktivizmin që ajo donte të ndiqte në vendlindje. Ajo pyeste veten nëse të rinjtë e tjerë në komunitetin e saj kishin nevojë për këtë mbështetje të njëjtë për t’u ndjerë të fuqizuar për të shprehur shqetësimet e tyre.

“Kthimi në vendin tim më bëri të kuptoj se nuk isha dhe ende nuk jam e vetmja që po mendonte në këtë mënyrë dhe isha e gatshme të përfshihem në komunitetin tim”, tha Jaçevska, 26 vjeç. “Kam takuar kolegë dhe të rinj të tjerë që ndanin këtë realitet. Ata të gjithë kishin nevojë për një vend të sigurt, inkurajim dhe udhëzim.”

Qendrat rinore shërbyen si vende të sigurta për njerëzit që të ndajnë iniciativa dhe të bashkëpunojnë në projekte dhe iniciativa në vendet ku vizitoi Jaçevska. Duke lexuar me vëmendje në ligjet ekzistuese të miratuara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ajo kuptoi se këto qendra mund të krijoheshin përmes Ligjit të vitit 2020 për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore.

HapësiraIme shpejt u bë emri i iniciativës së saj për të informuar të rinjtë në qytetin e saj për nevojën dhe mundësinë për të krijuar një qendër rinore dhe metodat në të cilat të rinjtë mund të përfshihen drejtpërdrejtë në vendimmarrje dhe proceset e lidhura me të rinjtë.

Iniciativa e saj u mbështet nga projekti Mbështetja për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, një projekt i Qeverisë së Zvicrës i realizuar nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES).

“Pjesa më e vështirë ishte – dhe ende është – që organet e pushtetit nacional dhe lokal të kuptojnë arsyetimin që qëndron pas konceptit të qendrave rinore dhe nevojës dhe sasisë së mbështetjes financiare të nevojshme për të siguruar funksionim cilësor të një qendre të tillë rinore”, tha ajo.

Ajo përfundimisht bindi pushtetin e lokal për të kthyer një hapësirë në një qendër rinore. Për shkak të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe pamundësisë së rishpërndarjes së mjeteve për pajisjen e qendrës, finalizimi i procesit u la të bëhej pas zgjedhjeve.
Përveç hapjes së planifikuar të qendrës rinore, e cila do të jetë e pesta në të gjithë vendin, tha Jaçevska, HapësiraIme ka mobilizuar të rinjtë për t’u angazhuar në politikën lokale dhe me zyrtarët e tyre të zgjedhur.

“Ne duhet ta iniciojmë vetë ndryshimin, dhe si të rinj, kemi detyrim të jemi aktiv dhe të luftojmë për të arritur qëllime të përbashkëta që sigurojnë një jetë më të mirë në komunat tona.”

Si pjesë e projektit Mbështetje për reformat zgjedhore, dhjetëra të rinj në të gjithë Maqedoninë e Veriut po monitorojnë premtimet e bëra nga qeveria në kuadër të programit për vitet 2021-2024 dhe po realizojnë iniciativa për të rritur angazhimin qytetar dhe llogaridhënien publike në nivel lokal.

“Qëllimi ynë është të mbështesim iniciativat lokale nga grupe të ndryshme në shoqëri për të inkurajuar reformat në procesin zgjedhor dhe përfshirjen më të madhe të të rinjve, dhe popullsisë në përgjithësi, në vendimmarrje, në jetën publike dhe politike të vendit,” tha Joana Kosma, drejtore e projektit.

Mbështetja për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut është një projekt i Qeverisë së Zvicrës. Projekti synon të mbështesë proceset zgjedhore demokratike dhe të besueshme që lehtësojnë pjesëmarrjen politike dhe integrimin social duke u mundësuar votuesve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i mbajnë ata llogaridhënës. Projekti është fokusuar në përforcimin e institucioneve pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, demokratizimin e brendshëm të partive politike dhe edukimin e qytetarëve. Aktivitetet synojnë kryesisht tre grupe të ndryshme të synuara, përkatësisht: 1) administratën zgjedhore, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve dhe organeve të menaxhimit të zgjedhjeve të nivelit më të ulët; 2) partitë politike, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të iniciativave të anëtarëve dhe aktivistëve të rinj që punojnë në projekte të dedikuara për qytetarët; dhe 3) sektorin e shoqërisë civile, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të mobilizatorëve të rinj në komunitet. Projekti, i cili filloi në vitin 2019, realizohet nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES).

 

Galeri