Forcimi i kapaciteteve hulumtuese të Qendrave analitike hulumtuese

Qendrat kërkimore dhe analitike

Në kuadër të projektit „Mbështetja e reformave zgjedhore“ u mbajt një punëtori me përfaqësuesit e katër Qendrave analitike hulumtuese (QAH) të partive më të mëdha politike në vend, në të cilën u prezantua projekt – doracaku për hulumtimin dhe analizën e politikave publike.

Në pjesën e dytë të ngjarjes, pjesëmarrësit kishin mundësi që t’i shkëmbejnë përvojat e tyre me konsulenten ndërkombëtare për politika publike, Lolita Cigane, nga Letonia, e cila qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup. Në këtë takim, Cigane foli në temat lidhur me përmirësimin e hulumtimeve të QAH-ut, me qëllim të tejkalimit të dobësive dhe si të krijohen në të ardhmen politika më të suksesshme publike për të mirën e votuesve të tyre.

Projekt-doracaku për hulumtimin dhe analizën e politikave publike, pas prezantimit të të cilit u zhvillua një diskutim mjaft produktiv për zbatueshmërinë dhe mënyrën e përshtatjes së tij me nevojat dhe kapacitetet e QAH-ut, është një mjet i dobishëm i forcimit të kapaciteteve hulumtuese të qendrave dhe të partive.

Ky doracak, edhe pse, në parim është një dokument teorik, ofron edhe udhëzime praktike se, si të kryhen hulumtimet konkrete. Ka për qëllim që t’i forcojë kapacitetet hulumtuese të QAH-ut në mënyrë që t’i mbështesin përgjegjësisht partitë në proceset e krijimit të politikave në nivel kombëtar dhe lokal. Më tej edhe t’i paraqesë mjetet dhe këshillat e zbatueshme të cilat mund t’i përdorë QAH-u gjatë planifikimit, disenjit dhe zbatimit të analizave dhe hulumtimeve si dhe për pjesëmarrjen proaktive të QAH-ut në diskutime të argumentuara dhe të qëndrueshme për zgjidhjen e problemeve ekzistuese.

Doracaku përmban hyrjen në politikën publike, që nënkupton ciklin e politikës publike që nga identifikimi i problemit, hulumtimi dhe analiza, zhvillimi i opsioneve të politikave, përmes zgjedhjes së opsionit të politikës partiake, zhvillimit dhe përçimit të mesazhit, deri te zbatimi monitorimi dhe evaluimi. Disenji i hulumtimit, paraqet hartën logjike e cila duhet ta drejtojë hulumtuesin nga „këtu„ që paraqet në fakt hapin fillestar dhe i parashtron pyetjet fillestare të cilat duhet të zgjidhen me hulumtimin, deri „atje„ që paraqet hapin përfundimtar dhe i paraqet përfundimet e hulumtimit, më saktësisht përgjigjet e pyetjeve të hulumtimit. Plani dhe elementet e hulumtimit, metodat hulumtuese siç janë: anketa, fokus grupi, intervista, analiza e dokumentacionit ekzistues, rastet studimore dhe vëzhgimi, analiza e të dhënave dhe prezantimi i rezultateve.

Në pjesën e dytë të punëtorisë u fol për zhvillimin e politikave në partitë politike, me pasqyrimin e aktiviteteve të v. 2021 dhe paraqitjen e planeve për v. 2022 dhe rreth asaj se cilat janë mënyrat optimale për krijimin e politikave të bazuara në fakte dhe në hulumtime.

Cigane vuri në dukje se sfida më e madhe për qendrat hulumtuese është që t’u tregojnë partive politike se puna e tyre është e domosdoshme dhe e nevojshme. Në këtë drejtim, u diskutua se është e domosdoshme një bashkëlidhje më aktive ndërmjet ekipeve të PR-së së partive politike dhe qendrave hulumtuese, me qëllim të përmirësimit të komunkimit. U diskutua edhe për atë se, sa dhe si partitë politike i analizojnë hulumtimet e QAH-ut para, gjatë dhe pas fushatave politike. Vëmendja u përqëndrua më së shumti në mikro dhe makro targetimin e qendrave hulumtuese dhe partive politike gjatë kohës së fushatave politike të tyre. Konkluzioni i përfaqësuesve të qendrave ishte se politika pozitive me mikro targetim është jashtëzakonisht metodë e rëndësishme e cila duhet të zbatohet në kushtet e fushatës zgjedhore.

Ky takim rezultoi me konkluzione të dobishme, ndërsa të pranishmit u shprehën se vetëm me ushtrime më të shpeshta, punëtori, seminare dhe trajnime, do të mund të përforcohej ekspertiza e tyre.

Galeri