Migena Gorenca: Deklarativisht të gjithë angazhohemi për barazi gjinore, por në realitet ende është botë e burrave

Интервјуа

Recetën e hapave pozitivë përparimtarë në gazetari, krahas sfidave të vështira dhe përballjes me padrejtësitë, por edhe rolin e grave në vendimmarrjen politike apo të çdo fushe tjetër, e prezanton Migena Gorenca.

Ajo është kryeredaktore e Kanalit të dytë në gjuhën shqipe të servisit publik RTM2 dhe sipas saj, për fat të keq, praktika tregon se “ekspertiza” më së shumti kërkohet nga ekspertët meshkuj, e femrat edhe më tej mediatikisht vazhdojnë të jenë nën hije.

Ajo thotë se për këtë çështje nuk bëjnë përjashtim as servisi publik as mediat private, e kjo gjë shihet në programet informative ku mbizotërojnë opinionet e meshkujve.

Në çfarë mase media në vendin tonë, veçanërisht servisi publik, luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e pjesëmarrjes së balancuar të grave në vendimmarrjen politike dhe publike?

Gorenca: Mediat duhet të luajnë një rol të rëndësishëm  në mbështetjen e pjesmarrjes së balancuar të grave në vendimarrjet politike apo të çdo fushe. Fatkeqsisht , praktika tregon se “ekspertiza” më së shumti kërkohet nga ekspertët meshkujt e femrat edhe më tej mediatikisht vazhdojnë të jenë nën hije. Këtu nuk bën përjashtim as servisi publik e as mediat private e kj qartë shihet në edicionet informative ku mbizotërojnë opinionet e meshkujve e e njejta gjë ndodh në të shumtën e rasteve edhe në debatet televizive, ku për “temat e forta”, rrallë merret mendimi i eksperteve femra, e gratë më së shumti përfshihen mediatikisht nëse  ngjarja/tema ka të bëjë kryesisht me gjëra më subtile.

Vallë edukoni si servis publik, programi i dytë për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në jetën shoqërore dhe politike?

Gorenca: Deklarativisht të gjithë angazhohemi për barazi, edhe në përfshirjen gjinore të mendimit kritik apo të ekspertëve. Realisht, TVM 2 nuk ka asnjë emision specifik që do u kushtohej arritjeve të fermave, megjithatë mundohemi që në emisionet aktuale, të ruajmë balancin gjinor, për sa kohë që kjo është e mundur.

Në punën tuaj të përditshme, sa e balancuar është pjesëmarrja dhe interesat e grave?

Gorenca: Jo gjithmonë është e mundur të ruhet barazia gjinore sidomos kur bëhet fjalë për raportimet gazetareske në redaksinë e informacionit. Përqindjet tregojnë se në ekran më shumë pasqyrohen mendimet e ekspertëve meshkuj. Sic e thashë edhe më lart,  përvec rasteve kur politikanet femra dalin në konferenca shtypi,  apo meqë tani është më aktuale, prokuroria vitet e fundit ka ndryshuar në të mirë të zonjave balancig gjinor e femrat në këtë fushë po përfshihen më shumë edhe në raportimet mediatike. Në rastet e tjera zakonisht mendimi i zonjave merret më shumë në tema që kanë të bëjnë me ambientin jetësor, cështje sociale apo të ngjashme, pra për tema që vlerësohet se janë më shumë “ për gratë”.

Vallë transmetohen shembuj pozitivë të aktivizmit dhe pjesëmarrjes politike të grave në mediat dhe pse janë të nevojshme sipas jush?

Gorenca: MTV 2, jep maksimumin,  sidomos në emisionin “Motiv”, që të kemi si lajtmotiv sa më shpesh që është e mundur arritjet e femrave në më shumë sfera të jetës. Megjithatë, mungon në masë të gjërë në përgjithësi, hapësira mediatike për aktivizmin politik të femrave, të cilat për hir të së vërtetës, edhe nga partitë nxirren si frontmene,  vetëm kur ka situata të nxehta politike, me siguri për të zbutur gjakrat.

Vallë kujdesemi për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin?

Gorenca: Jo sa duhet. Sigurisht që askush nuk e diskriminon mendimin e politikaneve apo eksperteve femra, por që në start, kur mendohet të merret një ekspertizë konkrete për një ngjarje të caktuar, emrat e parë në listën e ekspertëve që cdo redaksi e ka,  kryesisht i takojnë gjinisë mashkullore.

Në media flitet shumë për projekte në komunitet, të iniciuara dhe të udhëhequra nga gratë?

Gorenca: Në këtë aspekt, zëri i femrës është më i zëshëm. Ndoshta sepse kur flitet për projekte në të mirë të bashkësisë, pretendohet që femrat meqë janë të afta të drejtojnë familjet e tyre, janë të afta të mendojnë më llogjikisht edhe për komunitetin. Dhe kur bëhet fjalë për projekte të tilla, sigurisht që ekspertët  e parë që të vijë ndërmend për të diskutuar një problematikë të tillë, janë gratë. Prandaj e potencova edhe më herët, por edhe në media , ndoshta padashje, në nënvetëdije ende ekziston vlerësimi se ka cështje burrash e cështje grash e seicili duhet të mbajë “ vendin që i takon”.

Vallë duhet të rritet programi kulturor-argëtues, si për shembull filma, dokumentarë… për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave?

Gorenca: Sigurisht që po. Ashtu sic e kam thënë edhe në Prishtinë në një konferencë ndërkombëtare pak kohë më herët,  nëse gratë janë të afta të edukojnë fëmijët e tyre duke ndikuar kështu në një shoqëri të mirëedukuar, padyshim që ky rol i tyre duhet patjetërsueshmërisht të njihet edhe nga mediat e përmes mediave, edhe nga shoqëria. Mendoj se për momentin fermat vlerësohen shumë më pak sesa e meritojnë . Emisionet specifike ndoshta do të ndikonin që gjërat të ndryshojnë.

Si mund të ndihmojnë mediat në çrrënjosjen e qëndrimeve negative ndaj pjesëmarrjes politike dhe qytetare të grave?

Gorenca: Fillimisht me kontrollin e plotë të përmbajtjeve mediatike, sidomos të lajmeve të rreme apo të porositura ( vecanërisht në portale apo platformat sociale)  që kanë si qëllim të ulin e zhvlerësojnë  rolin e vërtetë të femrës në shoqëri, sidomos në pjesmarrjen e femrës në politikë. Duke hequr një vizë barazie gjinore në gjithpërfshirjen në mendimin ekspertor për të gjitha cështjet. E padyshim përmes bërjes publike të  shembujve të shumtë  të suksesit, të atyre mijra grave në vendin tonë, që nuk e kanë “vendin” vetëm në kuzhinë, por dinë të bëjnë politika të mëdha, të drejtojnë ndërmarrje të suksesshme, të japin vendime gjyqësore pa ndikim, të shpëtojnë jetë njerëzish dhe pse jo, edhe të jenë zonja shtëpie e të rrisin fëmijë të suksesshëm, që nesër do ta bëjnë të gjithë shtetin të mburret me ta.

Galeri