Pa prani të grave në politikë, shoqëria mbetet pa gjithëpërfshirje dhe drejtësi

Интервјуа

Sulmet verbale si „Shko bëje gjellën, mos më fol më !“ ose „Mos fol më, eja në krevat!“ pothuajse nuk ka grua politikane në Maqedoninë e Veriut që nuk i ka përjetuar. Ky lloj i urrejtjes e zbulon problemin serioz në shoqëri – dhunën ndaj grave në politikë, e cila e përdhos në mënyrë të drejtpërdrejtë demokracinë. Dhuna ndaj grave në politikë  paraqet kërcënim serioz për demokracinë, barazinë gjinore dhe përparimin shoqëror. Heshtja dhe frikësimi i grave i dekurajon nga pjesëmarrja aktive në jetën politike, që rezulton me marrjen e vendimeve të cilat nuk reflektojnë me dallimet dhe nevojat reale të shoqërisë. Kjo thellon hendekun e pabarazisë gjinore dhe forcon perceptimin se gratë janë më pak të mirëseardhura dhe të vlerësuara në rolet drejtuese. Më tej, tolerimi i dhunës së këtillë krijon precedent të rrezikshëm, duke normalizuar sjelljen fyerëse në sektorë të tjerë dhe duke nxitur kulturë dhune dhe mizogjinie, që lëkund kohezionin social dhe dobëson vlerat e drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes.

Të dhëna alarmante për dhunën ndaj politikaneve

Dhuna ndaj grave në politikë është dhunë ndaj demokracisë! Nuk ka arsyetim – po inkuadrohemi në aktivizmin 16 ditor në luftën kundër dhunës ndaj grave!

Më tepër se 26% e grave konsiderojnë se dhuna nuk ka qenë aq serioze sa të denoncohet, ndërsa 43% e grave konsiderojnë se periudha më e shpeshtë për incidente është gjatë fushatës, ndërsa 15% gjatë ngjarjes publike të partisë.

Edhe pse politikanet në Maqedoninë e Veriut janë shtytëse të rëndësishme të ndryshimeve, shumica e tyre përballen me forma të ndryshme të dhunës, që pengojnë motivimin dhe pjesëmarrjen e tyre. Edhe përkundër harmonizimit të legjislacionit me Konventën e Stambollit, mbetet sfidë zbatimi i masave.

Kjo thekson nevojën e rritjes së vetëdijes publike, mbështetjes institucionale dhe vullnetit të fuqishëm politik për çrrënjosjen e kësaj dukurie. Në drejtim të luftës kundër dhunës ndaj grave në politikë, Lobi i grave maqedonase krijoi Kodin e sjelljes me mbështetje të programit të Qeverisë së Zvicrës „Mbështetje të reformave zgjedhore“ të cilin  e zbaton Fondacioni ndërkombëtar për sisteme zgjedhore (IFES).

Deri më tani, 13 parti politike е nënshkruan këtë dokument , duke u zotuar për kundërshtimin e dhunës, mbështetjen e grave, sanksionimin e dhunuesve dhe nxitjen e rolit femëror në politikë.

65%  e politikaneve të vendit kanë përjetuar një lloj dhune gjatë kryerjes së funksioneve të tyre partiake

Dhuna pengon përfshirjen e 51 për qind të kapitalit njerëzor të shtetit në jetën politike, ndërkaq gratë në politikë dhe në proceset zgjedhore dekurajohen për t’u përfshirë dhe dhënë kontributin e vet në to. Në Qeveri ka vetëm tre gra nga 23 pozita, Kuvendi ka vetëm 43 deputete nga gjithsej 120 dhe në vend ka vetëm dy kryetare komunash nga 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit.

Këto shifra tregojnë sa të margjinalizuara janë gratë në jetën politike, pjesërisht edhe për shkak të dhunës që e përjetojnë. „Dhuna ndaj grave, si në politikë, ashtu edhe jashtë saj, për fat të keq është ende e pranishme në Republikën e Maqedonisë. Pa dallim se vallë është nëpërmjet mediave sociale apo verbalisht, pjesa më e madhe e grave nuk e denoncojnë atë, ndërsa duhet ta denoncojnë. Askush nuk duhet të durojë dhunë në një shoqëri të zhvilluar të shekullit 21 “, thotë Lupço Prenxhov nga partia politike VMRO-DPMNE.

Fakt: 62% të politikaneve zgjodhën për të mos e denoncuar incidentin për shkak të frikës ose mosbesimit në institucionet

Politikanet theksojnë se për përballjen me këtë problem është i domosdoshëm përforcimi i ligjeve për dhunën onllajn, formimi i organeve të pavarura për monitorimin  e proceseve zgjedhore dhe fushatave për ngritjen e vetëdijes publike.

„Mesazhi im për gratë në politikë është që të mos frikësohen nga dhuna verbale. Ato kanë vizion dhe vetëbesim. Kur u përballa me dhunën si kandidate për deputete, nuk heshta. Së bashku jemi më të fuqishme“, porosit Diana Toska nga Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI.

Ndërsa, Ajsel Sejfulla, nga Partia e Lëvizjes së Turqve i inkurajon të gjitha gratë për denoncimin e çdo lloji të dhunës. „Të krijojmë një botë në të cilën çdo grua do të jetojë e lirë dhe me plot dinjitet. Zëri dhe jeta tuaj kanë rëndësi.“, shton ajo.

fakt: 47% e grave e kanë humbur motivimin politik ose janë larguar nga politika, përkohësisht ose përgjithmonë, për shkak të dhunës

Jovanka Trençevska nga partia politike LSDM u bën porosi grave të jenë të zëshme, trime dhe të denoncojnë çdo akt të dhunës. „Solidariteti femëror është kryesor. Si gra në parlament, duhet të iniciojmë fushata për parandalimin e dhunës ndaj grave.”, shton ajo.

Sipas Sadik Sulejmanit, Aleanca për Shqiptarët, gratë janë shtylla të shoqërisë sonë. Ato duhet të përkrahen, të inkurajohen dhe të vazhdojnë të kontribuojnë për një Maqedoni evropiane dhe më përparimtare.

„Dhuna ndaj grave në politikë është problem sistemor që rrënon procesin demokratik dhe ngulfat zërin femëror. Kjo nuk është vetëm luftë për gratë, por edhe për një Maqedoni më të barabartë dhe më të zhvilluar. Përmes solidaritetit, inkurajimit dhe mbështetjes institucionale, mund të krijojmë një shoqëri ku çdo grua do të mbrohet dhe do ta shfrytëzojë rolin e saj pa frikë.”, porositi Sulejmani.

Përfundim

Dhuna ndaj grave në politikë është kërcënim serioz për demokracinë dhe zhvillimin  e shoqërisë. Për të pasur sukses lufta, është e rëndësishme të ndërtohet solidariteti ndërmjet grave nga të gjitha partitë politike, të forcohen ligjet dhe të ngrihet vetëdija publike. Siç ka thënë Hilari Klinton: „Gratë janë burimi më i madh i pa shfrytëzuar në botë.“ Është koha të bashkohemi dhe ta shfrytëzojmë këtë forcë për ardhmëri më të mirë. Nuk ka asnjë arsyetim për dhunën ndaj grave në politikë dhe zgjedhje!

*Të dhënat e raportit janë marrë nga

Проценка на насилството врз жените во политичките партии

Galeri