Në “Raportin për ndikimin e faktorëve demografikë në pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën publike dhe edukimin e votuesve në Maqedoninë e Veriut”, i cili është produkt i projektit “Mbështetje për reformat zgjedhore”, konkretisht në grupin demografik “Gratë nga zonat rurale”, thuhet se gratë nga këto mjedise nuk janë të përfaqësuara mjaftueshëm në diskursin publik dhe jetën publike. Në rekomandimet e raportit thuhet se ekziston nevoja për të rritur ndërgjegjësimin dhe vetë-perceptimin, si një mundësi për ndryshim tek gratë nga zonat rurale, forcimin e vetëbesimit, ndërtimin e aleancave dhe promovimin e kanaleve dhe rrugëve për të inkurajuar pjesëmarrjen qytetare. Nuk është rastësi që kemi zgjedhur dy gra, sipërmarrëse të suksesshme, të cilat janë motivuese në komunitetet e tyre.

Zhivka Gjurçinovska është farmer individual, nga fshati Tumçevishtë i Gostivarit dhe sipërmarrëse e pavarur. Me familjen e saj, janë pronarë të një fermë, kanë plantacion me lajthi dhe kultivojnë sipërfaqe të mëdha me kultura kopshtare. Ajo është nënë e tre fëmijëve dhe prej më shumë se 20 vitesh merret me këtë biznes familjar. Gjithashtu është kryetare dhe anëtare e shoqatës “Ferma ime” nga Gostivari, anëtare aktiv e OJQ-së “Koalicioni Rural – Kumanovë” dhe anëtare e “Federatës kombëtare të fermerëve”.

“20 vjet më parë ishte tabu, gratë në zonat rurale të kishin pronën e tyre,” thotë Zhivka”, por me kalimin e kohës disa gra kanë arritur të luftojnë që të drejtat e tyre të jenë të barabarta me burrat dhe të jenë bartëse të pronës”, thotë Zhivka. Аmbicioze, energjike dhe punëtore, e palodhur avokon përmes shoqatave ku është anëtare, të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me atë se gratë mund të jenë fermere të suksesshme, po aq sa edhe burrat.

Gëzime Fejzi është grua sipërmarrëse, bashkëpronare dhe menaxhere e një mini-fabrike për mocarela dhe lloje të ndryshme të djathit “Caseificio Cesarina” – Fejzi në fshatin Belovishtë të Gostivarit. Nënë e dy fëmijëve, ndërsa imazhi i një gruaje sipërmarrëse të suksesshme është rezultat i kontributit të saj personal me mbështetjen e familjes.

“Parë nga këndvështrimi i sotëm, arrita të realizoj të gjitha synimet e mia në jetë, edhe pse rastësisht u gjenda në këtë biznes, duke pasur besim te vetja dhe mbështetjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të mi. Besoj se me shumë mund dhe punë çdo femër mund të arrijë qëllimin që dëshiron”., mendon Fejzi.

Në vitet 1990, ajo filloi të punonte si shitëse në një dyqan për kaçkavall, në suazat e mini fabrikës ku i shoqi ishte menaxher dhe teknolog. Pa një arsimim menaxherial, ambicia dhe dëshira e saj për sukses e motivojnë atë të përmirësohet përmes trajnimeve të ndryshme në të gjithë Ballkanin dhe në Romë, Itali, ku jetoi për disa kohë me familjen e saj.

“Rreth 20 vjet më parë, kur po përpiqesha të negocioja me fermerët meshkuj për blerjen e qumështit, ata thjesht nuk më morën seriozisht dhe habiteshin se si një grua mund të merrej me “punë mashkulli’. Thjesht nuk donin të komunikonin me mua. Me kalimin e viteve kam gjetur mënyra të ndryshme për t’i motivuar, madje kam marrë kredi dhe u kam dhënë fonde për të blerë lopë për prodhimin e qumështit. Sot ndihet një ndryshim se si pranohen gratë në zonat rurale krahasuar me më parë”, thotë Gezimja.

                           

                                                 Motivues për aktivizëm social dhe shoqëror

Sipas Raportit për zhvillimet aktuale socio-politike në vend dhe në botë, 53 për qind e të anketuarve janë “aspak nuk janë” apo “nuk janë shumë të interesuar” për zhvillimet aktuale, ndërsa 46 për qind janë “shumë” ose “deri diku të interesuar”. Interesi i shfaqur nuk është i ndryshëm në krahasim me gratë nga zonat urbane. Mbi gjysma e këtyre grave (55%) rrallë ose kurrë nuk i diskutojnë këto çështje me njerëz të tjerë, krahasuar me 46 përqind të grave urbane që nuk duan të diskutojnë për çështje socio-politike.

Për këtë pyetje, Fejzi thotë: “Nëse doni të jeni të suksesshëm, duhet të ndiqni zhvillimet aktuale, kjo nuk do të thotë t’i përkisni një opsioni të caktuar politik. Gratë në të kaluarën nuk kanë qenë anëtare të shoqatave të ndryshme të biznesit, por kjo ka ndryshuar vitet e fundit, madje sot ka gra të suksesshme në pozita udhëheqëse, të cilat përmes motivimit personal, punëtorive, trajnimeve inkurajojnë gratë e tjera”.

Motivuesi kryesor për aktivizimin e tyre social, shoqëror dhe politik është ambicia, thonë Zhivka dhe Gëzimja.

“Fitimi nuk është gjithmonë motivimi kryesor, por përgjigja në pyetjen: “Vallë arrita ta realizoj veten si një grua e suksesshme? Prandaj është e nevojshme të përmirësohemi vazhdimisht, të shkëmbejmë përvoja, të ndjekim në mënyrë aktive trendet, aktivizmin, pjesëmarrjen në koalicione dhe shoqata rurale, të ndjekim seminare dhe trajnime ku do të mësojmë metoda të reja për punën tonë, sepse gjërat vazhdimisht ndryshojnë.

Rreth interesimit të tyre për stabilitetin ekonomik dhe social, problemet lokale si shëndetësia, arsimi, mjedisi, infrastruktura… dhe nevoja të tjera specifike në vendbanimin e tyre, Zhivka thotë se ndjek në mënyrë aktive gjithçka që ndodh në fshat dhe përpiqet të ndikojë dhe të bëjë ndryshime pozitive.

“Ne kemi një shkollë me mësim të kombinuar deri në klasën e gjashtë dhe kjo nuk mjafton, nuk ka kopsht për fëmijë ndërkohë që infrastruktura është e vjetërsuar. Imagjinoni në shekullin 21, ne ende kemi gropa septike. Kur fëmijët e mi ishin të vegjël nuk kisha zgjidhje tjetër veçse t’i çoja në kopsht dhe kisha vetëm dy mundësi ose tu përkushtohesha e të mos bëja asgjë ose t’i merrja me vete në plantacionet ku punojmë. Këto çështje të dhimbshme i theksoj edhe në media dhe në shoqatat e koalicionet ku jam anëtare. Ne nuk kemi një klub të grave, zyrë lokale ku gratë rurale të mund t’i paraqesin këto mangësi”, thotë Zhivka. 

Dhe sipas gjetjeve në Raport, mbrojtja shëndetësore (83%), stabiliteti ekonomik

(78%) dhe problemet lokale (75%) janë tre problemet prioritare të të anketuarve. Këto çështje, duke përfshirë arsimin, konsiderohen si motivues kryesor për angazhimin social dhe politik të grave në zonat rurale.

Prandaj, temat kryesore me interes janë më së shpeshti problemet me të cilat përballen çdo ditë në mjedisin e tyre të afërt.

“Jemi 7 kilometra larg Gostivarit, dy kilometra nga autostrada dhe nuk kemi transport publik e aq më pak transport për fëmijët tanë. Prandaj gratë nga fshati ynë më parë nuk shkonin në punë. Sot shumica prej nesh kemi vetura, por kjo është arsyeja pse ende nuk kemi ambulancë”, thekson Zhivka.

Për shkak të shkëputjes, neglizhimit dhe distancës së një gruaje rurale, të krijohet përshtypja se ato janë të pa interesuara. Nëse këtyre grave u jepet mundësia të tregojnë aftësitë e tyre, atëherë mund të shohim rëndësinë e tyre thelbësore, jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri në përgjithësi. Prandaj, mbi të gjitha është e rëndësishme mbështetja e familjes së tyre.

“Në vendin tonë pjesa më e madhe e grave rurale ende punojnë në pronat që i përkasin burrave të tyre, ky është një nga problemet kryesore. Kohët e fundit shteti ka filluar t’i motivojë duke u dhënë grante grave nga zonat rurale ndërkaq për t’i fituar grantet duhet të kenë pronë në emër të tyre. Ky trend pozitiv i ka bërë burrat të kuptojnë se nëse u jepet një pjesë e pasurisë së tyre, gratë do të sjellin më shumë para në buxhetin e shtëpisë dhe do të jenë më të kënaqura, se ajo që është bërë është rezultat i punës individuale”, thonë Zhivka dhe Gëzimja.

Sipas Gëzimes, në të kaluarën meshkujt as që donin të flisnin me të në aspektin profesional, pasi ajo është femër, sot vijnë dhe kërkojnë këshilla biznesi prej saj.

“Filluan të kuptojnë se nëse do ta mbështesnin gruan në punë, jeta e tyre do të ishte më e lehtë dhe më e rehatshme. Kjo është arsyeja pse duhen shembuj të grave të suksesshme për të filluar ngadalë të ndryshojnë gjërat”, thotë Fejzi.

 

                                  Qasje më të madhe në informacion dhe tejkalim të stereotipeve

“Rrjetet sociale i ndjek në mënyrë aktive nga celulari, sepse jam gjithë ditën në terren dhe nuk kam qasje në televizion ndërkaq dua të informohem”, thotë Zhivka.

Megjithatë ende në masë të madhe ndihet diskriminimi ndaj grave në zonat rurale, ndërsa stereotipet dhe paragjykimet ndaj grave ndikojnë në vetëbesimin e tyre.

“Ndihet një rritje e lehtë e reduktimit të stereotipeve, por situata nuk është aspak e mirë”,, janë të mendimit, Zhivka dhe Gëzimja.

“Kam pasur mundësinë të ndjek një trajnim në Kongresi e 54-t, të të Drejtave të Grave në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe përmes ngjarjeve të tilla fitoj njohuri dhe vetëbesim në mënyrë që të ndaj përvojat e mia me gratë më të reja këtu, t’i motivoj dhe inkurajoj”, thotë Gëzimja.

“Më parë habiteshin se si ngas makinën, traktorin dhe kultivoj tokën, sot të paktën ato gjëra nuk janë më tabu nëpër fshatra”, mendon Zhivka.

Megjithatë, lufta për barazi gjinore vazhdon ende në këto fusha, megjithëse disa gra kanë dëshmuar se janë të afta dhe të shkathëta të ngrihen përmes punës individuale dhe zhvillimit personal.

“Sistemi patriarkal më shqetëson shumë dhe shpesh hyj në diskutime verbale për këtë temë. Për të forcuar rolin dhe vetëbesimin e gruas nevojitet aktivizim i intensifikuar përmes punëtorive, bisedave dhe trajnimeve, vetëm në këtë mënyrë mund të rritet ndërgjegjësimi. Nga ana tjetër, nëse më pyesni mua, fillimisht do të organizoja punëtori për meshkuj, të cilat do të mbaheshin ekskluzivisht nga femrat. Duhet të edukohen fillimisht burrat, e më pas gratë. Prandaj është e rëndësishme të votojmë në proceset zgjedhore. Nëse do të kishte më shumë gra në politikë në pozitat vendimmarrëse, bota do të ishte një vend më i mirë për të jetuar. Gratë janë më konstruktive, më realiste, më të ndershme dhe më të afta dhe në të njëjtën kohë do të luftonin më shumë për të drejtat e grave. Unë gjithmonë e realizoj të drejtën time të votës, përndryshe diskreditojmë veten si individë”, thekson Fejzi.

Përshtypja e përgjithshme është se ka ende pengesa dhe barriera për gratë në zonat rurale, si pasojë e sistemit patriarkal të vlerave, i cili imponon parime që gratë duhet t’i përkushtohen ekskluzivisht shtëpisë dhe familjes dhe stereotipe të tilla ndikojnë mbi vetëbesimin e tyre. Edhe pse ndërgjegjësimi i grave rurale është dukshëm më i lartë se në të kaluarën, siç thonë bashkëbisedueset tona, lufta për barazi gjinore vazhdon.

 

Galeri