“Ndër të tjera, duhet të punohet në përforcimin e vetëdijes së qytetarëve në komunitet, por duhet të jetë sistematik dhe i planifikuar, fillimisht të bëhet diçka, pastaj të ruhet”, thotë Ajser Memedova, një aktiviste e re nga Koçani dhe pjesëmarrëse në tribinën publike ku u diskutua për cilësinë e shërbimeve të marra nga komuniteti rom në këtë qytet.
Në tribinën që u mbajt më 17 janar të vitit 2023 në hapësirat e Komunës së Koçanit, u prezantuan rezultatet e anketës së realizuar në mesin e popullsisë rome. Gjysma e qytetarëve të anketuar (52%) thonë se në lagjen e tyre nuk ka kushte të kënaqshme për jetesë, ndërsa shumica e të anketuarve (60%) thonë se ata dhe fëmijët e tyre i ndjejnë pasojat shëndetësore të ndotjes së mjedisit jetësor. Qytetarët janë autokritikë dhe e konsiderojnë veten si një ndër fajtorët e ndotjes së mjedisit jetësor. Në listë, ata janë në vendin e dytë, menjëherë pas ndërmarrjes komunale publike “Ujësjellësi”, për të cilën një pjesë e madhe e të anketuarve besojnë se pastron mbetjet në mënyrë të parregullt. Me gjithë këtë vetëdije, përgjigjet e pyetjes “A i hedhni mbetjet shtëpiake apo mbetjet e ndërtimit në rrugë publike dhe a e ndotni mjedisin jetësor?” janë shqetësuese. Po i njëjti numër qytetarësh janë përgjigjur me “po” dhe “jo” (21%), gjithsej 35% e bëjnë ndonjëherë, ndërsa 23% kanë thënë se e bëjnë vetëm kur duhet.
Gjithsej 34 pjesëmarrës, ndërmjet të cilëve ishin përfshirë qytetarë të interesuar, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, por edhe drejtori i ndërmarrjes komunale “Ujësjellësi” nga Koçani, menaxherë nga sektorë të ndryshëm që kanë të bëjnë me higjienën komunale, nëpunës nga Komuna e Koçanit që punojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor, inspektorët komunal për punët komunale dhe ekipi i kujdestarëve komunalë, diskutuan për këto rezultate dhe rekomandimet nga raporti. Diskutimi duhet të jetë rikujtim për pushtetin lokal për përmbushjen e premtimeve parazgjedhore ndaj qytetarëve dhe raporti duhet të mundësojë planifikim më të mirë të aktiviteteve për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
“Këto aktivitete janë të mira sepse na lejojnë të flasim publikisht për problemet tona në komunitet. Mjedisi jetësor është seriozisht i rrezikuar, kushtet e jetesës janë të këqija dhe institucionet nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme zgjidhjes së situatës,” thotë Xhesian Zurapov, një qytetar i Koçanit, dhe shton se ka shfrytëzuar rastin që të pyesë përfaqësuesit e ndërmarrjeve komunale dhe komunës se kur do të ndërmarrin veprime për përmirësimin e situatës.
Pjesëmarrësit janë pajtuar se ky është një fillim serioz dhe i mirë për bashkëpunim dhe identifikimin e problemeve në komunitet.
Anketa është realizuar në periudhën 15-20 dhjetor të vitit 2022 dhe ka përfshirë 200 banorë të Koçanit, nga komuniteti rom. Anketa dhe tribina janë pjesë e projektit “Iniciativa për kushte më të mira dhe mjedis më të mirë për jetesë në komunitetin rom në Komunën e Koçanit” i cili realizohet nga Qendra për zhvillim të komunitetit “E ardhme e ndritur“ nga Koçani.
Realizimi i këtij trajnimi është mundësuar nga projekti ” Mbështetje për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut” i Qeverisë së Zvicrës i cili realizohet nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES), kurse grantet administrohen nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN).