Dhjetë nxënës të shkollave të mesme nga komuna e Mogillës ishin pjesë e trajnimit për sipërmarrësi nga Shoqata për bashkëpunim ndërkombëtar rinor “Interaktiv” – Manastir më 23 dhe 24 janar të këtij viti në qendrën arsimore Edusfera – Manastir.
Pjesëmarrësit mësuan për sipërmarrësinë, për mundësitë e krijimit të biznesit të tyre dhe për mënyrat e e përfshirjes në tregun e punës. “Ky lloj trajnimi i ndihmon me të vërtet të rinjve dhe është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që vijnë nga zonat rurale ku kanë një zgjedhje të kufizuar të punës me të cilën mund të merren. Duhet të organizohen sa më shumë trajnime të tilla, jo vetëm për sipërmarrësi, por edhe në fusha të tjera”, thotë mobilizatori i komunitetit, Martin Ristevski.
Një qëndrim të ngjashëm ka edhe kolegia e tij, mobilizatorja Angela Ristevska. “Me të vërtetë gëzohemi që në periudhën e kaluar jemi takuar me të rinj që ndjekin trajnimet për herë të parë. Përmes këtij projekti do të trajnohen rreth 60 të rinj, të cilët pas trajnimit do të kenë një pasqyrë më të qartë se si të gjejnë punë apo të fillojnë biznesin e tyre”, tha Ristevska.
Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, në komunën e Mogillës ka 310 persona të moshës prej 14 deri në 19 vjeç, 285 persona të moshës prej 20 deri në 24 vjeç dhe 314 persona të moshës prej 25 deri në 29 vjeç. Në krahasim me të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2002, popullsia e këtyre kategorive në komunë është ulur nga 19% në 41%, me çrast rënia më e madhe është te më të rinjtë. Kjo tregon tendencën e largimit të të rinjve nga ajo komunë për shkak të mundësive të pakta ose aspak mundësi për punësim dhe vetëpunësim, si dhe për mospërfshirjen e të rinjve në programet për zhvillim dhe mbështetjen e masave aktive për sipërmarrësi apo përmirësimin e aftësive të punës së të rinjve.
Në periudhën e ardhshme, shoqata “Interaktiv” do të trajnojë të rinjtë se si të përgatisin biografinë e tyre dhe si të shkruajnë një letër motivuese dhe si të përgatiten për një intervistë për punë.
Realizimi i këtij trajnimi është mundësuar nga projekti “Mbështetje për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut” i Qeverisë së Zvicrës i cili zbatohet nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES), kurse grantet administrohen nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN).