Dita Ndërkombëtare e Gruas - barazia gjinore, inkluzion demokratik për të gjithë

Institucionet e forcuara zhvillojnë procese zgjedhore të drejta dhe efikase, Mobilizuesit e komunitetit, Ngjarje

Dita ndërkombëtare e gruas – 8 marsi është ditë kur shënohet lufta e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale. Tetë marsi është dita ndërkombëtare e gruas, e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të përkujtuar rolin e gruas në histori, si dhe luftën e saj për barazi, drejtësi, paqe dhe zhvillim. Një shekull pasi aktivistja për të drejtat e grave Klara Cetkin bëri thirrje për Ditën e gruas, është bërë përparim i rëndësishëm në barazinë gjinore, por thelbi i 8 marsit mbetet i njëjtë: demonstrata dhe festime.
Kjo ditë festohet për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e barabarta të grave, arritjet e tyre dhe të inkurajohet komunikimi për problemet me të cilat përballen, si papunësia, margjinalizimi dhe dhuna në familje. Gratë duhet të jenë aktive, jo vetëm në poste drejtuese, por në çdo profesion. Demokracia nënkupton përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave në jetën ekonomike, sociale, politike dhe shoqërore në përgjithësi. Për të ndërtuar një demokraci të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, gratë duhet të jenë të afta të marrin pjesë në mënyrë të barabartë dhe të rëndësishme në jetën publike. Bazuar në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, praktikat më të mira dhe hulumtimet bashkëkohore, demokracia nënkupton pjesëmarrje politike, drejtësi dhe të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në mbarë botën. Margjinalizimi dhe diskriminimi i grave, vendosja e barrierave dhe pabarazisë në jetën publike dhe private pengojnë zhvillimin demokratik të çdo vendi.

Sipas gjetjeve të hulumtimit cilësor dhe sasior në “Ndikimi i faktorëve demografikë në pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën publike dhe edukimin e votuesve në Maqedoninë e Veriut”, dokument i Projektit “Mbështetje për reformat zgjedhore”, gratë vazhdimisht kanë qenë të ekspozuara ndaj diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë gjatë historisë. Normat dhe vlerat patriarkale që dominojnë shoqëritë kanë ekzistuar përgjatë shekujve deri më sot, dhe trashëgimia historike e pabarazisë nuk mund të zgjidhet vetëm me ndërhyrje ligjore. Mbetjet e një sistemi të tillë ndikojnë në mënyrën se si gratë përfshihen në aktivitete qytetare. Konteksti socio-kulturor në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi i dekurajon gratë që të marrin pjesë aktive në jetën politike si votuese dhe si aktiviste qytetare. Gratë në zonat rurale gjithashtu nuk janë të përfaqësuara mjaftueshëm në diskursin dhe jetën publike.
Hulumtimi i këtij raporti tregon se 53 për qind e të anketuarave femra “nuk janë aspak” ose “nuk janë shumë të interesuara” për zhvillimet aktuale socio-politike në vend dhe në botë, ndërsa 47 për qind janë “shumë” ose “në një masë të interesuara”. Analizat e mëtejshme tregojnë se gratë janë për 13% më pak të interesuara për zhvillimet socio-politike sesa burrat. Statistikat janë pothuajse të njëjta për gratë në zonat rurale.
Mbrojtja shëndetësore (83%), stabiliteti ekonomik dhe social (78%) dhe mjedisi jetësor (72%) janë tre problemet që mbizotërojnë tek femrat e anketuara dhe konsiderohen si faktorë kryesorë motivues për aktivizimin e tyre social dhe politik, pasuar nga arsimi dhe kujdesi për pushtetin lokal. Hulumtimet tregojnë se prioritetet kryesore të grave janë të natyrës sociale dhe infrastrukturore, në lidhje me kujdesin për fëmijët, kopshtet për fëmijë, shkollat dhe sigurinë e lagjeve. Gratë janë kryesisht të interesuara për çështje specifike që mund të përmirësojnë jetën e tyre dhe të anëtarëve të familjes, ndërkaq më pak të interesuara për çështje abstrakte dhe politike.
Kur bëhet fjalë për aktivizmin qytetar, gratë janë më pak të angazhuara dhe më pak të interesuara se burrat. Arsyet e pjesëmarrjes së tyre të ulët në aktivitete qytetare, ndër të tjera, janë stereotipet dhe paragjykimet ndaj grave, si dhe diskriminimi ndaj grave për sa i përket moshës, pamjes fizike dhe orientimit politik.
Shumica e të anketuarave besojnë se nuk mund të kenë ndikim si qytetare dhe nuk besojnë se me angazhimin individual mund të bëjnë ndryshime, dhe kjo më së shumti i referohet angazhimit të tyre të madh në shtëpi dhe rreth familjes. Gratë ndajnë perceptimin se kjo është një “botë mashkullore” ku zëri i grave nuk kuptohet seriozisht.
Janë të mendimit se në të ardhmen fokusi duhet të jetë në edukimin e vajzave, stimulimin e vetëbesimit, guximit dhe këmbënguljes së tyre, si dhe ndërgjegjësimin për barazinë gjinore, ndërsa djemtë duhet të edukohen të respektojnë gratë dhe të promovojnë barazinë gjinore, në vend të roleve gjinore patriarkale në shtëpi dhe shoqëri.
Si përfundim, pabarazia gjinore është arsyeja kryesore për pjesëmarrjen dukshëm më të ulët të grave në jetën social-politike krahasuar me burrat. Barrierat lidhen me faktorët socio-ekonomikë, kapacitetin dhe ndikimin kulturor.
Prandaj, është e nevojshme të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në aktivitetet qytetare dhe në jetën publike, në mënyrë që të kundërshtohen stereotipet gjinore dhe të kontribuohet në ndërtimin e një kulture politike të favorshme për pjesëmarrjen e grave në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Galeri