Raporti demografik ka vlerë të paçmueshme për palët e interesit të cilat merren me edukimin qytetar dhe edukimin e votuesve

Analiza/Botime/Produkte, Institucionet e forcuara zhvillojnë procese zgjedhore të drejta dhe efikase

Raporti i ndikimt të faktorëve demokrafikë i pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe i edukimit të votuesve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u riaktualizua në prag të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mavrovës dhe Rostushës dhe kryetar të komunës së Qendrës së Zhupës, që do të mbahen më 17 prill.
Në suaza të procesit zgjedhor, ky Raport ka një rëndësi të madhe për palët e interesit të cilat merren me edukimin qytetar dhe edukimin e votuesve, me qëllim që të përforcojë efektivitetin dhe efikasitetin e fushatave zgjedhore. Të dhënat dhe rekomandimet e hulumtimit kanë për qëllim që të ngrenë vetëdijen e rëndësisë së pjesëmarrjes në jetën politiko-shoqërore dhe të aktivitetit qytetar te popullata e përgjithshme, veçanërisht te të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe të gjitha grupet e tjera të prekura.

Raporti është prodhim i projektit „Mbështetja e reformave zgjedhore në Maqedoninë e Veriut“ dhe është rezultat i një hulumtimi të kujdesshëm i mbështetur në fakte, që siguron të dhëna për të anketuarit dhe jep një pasqyrë të hollësishme të përparësive të votuesve, të kufizimeve dhe të faktorëve motivues për profile të ndryshme demografike votuesish. Përmban rekomandime gjithëpërfshirëse për çdo profil të analizuar demografik që ka të bëjë me modalitetet e edukimit qytetar, ngritjen e vetëdijes dhe rëndësinë e procesit zgjedhor, zgjedhjen e mediave, mjetet dhe kanalet e komunikimit si dhe llojin e mesazheve të përcjella.

Mostra është krijuar me qëllim që t’i pasqyrojë me saktësi karakteristikat demografike të vendit. U intervistuan përfaqësues të përkatësive etnike maqedonase, shqiptare, rome, turke dhe të tjera. Në hulumtimin cilësor u përfshinë 13 fokus grupe dhe 4 intervista të thukta me përfaqësues të grupeve demokrafike si në vijim: popullata urbane, popullata rurale, gratë në rajonet urbane, gratë në rajonet rurale, të rinjtë, të rinjtë e rajoneve rurale, persona që votojnë për herë të parë, persona me aftësi të kufizuara, persona nga bashkësitë e largëta, romë, persona mjaft të varfër dhe persona të papunësuar për një kohë të gjatë.
Të dhënat e secilit grup demokrafik janë strukturuar në seksionet vijuese: temat e interesit, burimet e informatave, pjesëmarrja qytetare, procesi zgjedhor, komunikimi me kandidatët dhe partitë, pengesat dhe rekomandimet.
Përfundimi i hulumtimit rezulton se mbrojta shëndetësore (85%) dhe stabiliteti ekonomik e social (82%) janë temat më të rëndësishme të interesit për popullatën e përgjithshme që jeton në vend. Analiza gjithëpërfshirëse tregon se ndërmarrja e aktiviteteve konkrete dhe pragmatike për përmirësimin e cilësisë së jetës është motivimi kyç që njerëzit të aktivizohen në jetën shoqërore dhe politike.
Analiza e anketës është shqetësuese, sepse tregon se pjesa më e madhe e të anketuarve nuk janë të interesuar për pjesëmarrje më aktive qytetare, ndërsa gjysma e të anketuarve konsiderojnë se si qytetarë nuk mund të kenë ndikim të rëndësishëm në komunën e tyre. Megjithatë, gjysma e popullatës së përgjithshme është „shumë“ ose „deri diku e interesuar“ për zhvillimet politiko-shoqërore në vend dhe në botë. Në pikëpamje të gjinisë, meshkujt kanë angazhim më të madh shoqëror se femrat.
Pandemia e kovid-19 rangohet më së larti në mesin e çështjeve me interes politiko-shoqëror te të gjitha grupet demografike, por parimisht qytetarët më së shumti i prekin çështjet që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe mjedisit që i rrethon, siç janë: mbrojtja shëndetësore, stabiliteti ekonomik dhe social, problemet lokale, mjedisi jetësor dhe arsimi.
Vetëm gjysma e popullatës së përgjithshme shprehet se votojnë dhe te të gjitha grupet demografike vërehet një perceptim i përgjithshëm negativ për votimin në zgjedhje të cilat, për ta, mes tjerash, janë sinonim i „premtimeve të kota“, „fushatave zgjedhore të këqija“, „presioneve politike“ dhe “harxhimit të panevojshëm të parave“. Hulumtimi tregon gjithashtu se grupet e ndryshme demografike gjithnjë e më tepër vendosin të mos dalin të votojnë për shkak të pakënaqësisë ndaj partive politike të vendit, të cilat, sipas tyre, nuk janë të interesuara t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Abstenimi nga votimi, sipas të anketuarve, është një mënyrë e të shprehurit dëshprim dhe revolt kundër partive politike, si dhe dënim për premtimet e parealizuara.
Megjithatë, tre faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë pozitivisht në daljen e të anketuarve për të votuar janë si vijojnë: perceptimi se votimi është e drejtë dhe obligim qytetar (56%); perspektivat për një të ardhme më të mirë (42%); dhe shqetësimi se vota do t’u keqpërdoret (29%). Sipas hulumtimit të bërë, qytetarët në listat e kandidatëve do të dëshironin të shihnin fytyra të njohura, të rinj, përfaqësues të bashkësive të tyre lokale dhe gra.
Televizioni mbetet burimi kryesor i informatave thuajse për gjysmën e popullatës së përgjithshme, ndërsa mediat sociale janë vënë në dukje nga 14% e popullatës. Më tej vijojnë portalet e uebit me 13%, si dhe miqtë dhe familja me 8% janë vënë në dukje si burime kryesore të informatave për qytetarët lidhur me zgjedhjet.

Galeri