Në trajnimin njëditor për aktivizëm rinor që organizoi Qendra për edukim dhe zhvillim (CED) kanë marrë pjesë 21 të rinj nga Tetova. Trajnimi u mbajt në datë 27.12.2022 në sallën e konferencave të QRAPT Mosha Pijade si pjesë e projektit “Rinia aktive përmes komunës transparente”. Ai u mundësoi të rinjve të përmirësonin aftësitë e tyre në zbulimin dhe raportimin e ndotësve të mjedisit jetësor.
Ideja e trajnimit ishte stimulimi i aktivizmit rinor nga aspekti ekologjik. Ftohen të rinjtë që në dy muajt e ardhshëm të zbulojnë ndotësit e mjedisit jetësor dhe t’i raportojnë në faqen zyrtare të komunës së Tetovës – Tetovë eko raport ose E-report. Organizatorët presin që institucionet zyrtare ekologjike të reagojnë ndaj raportimeve.
“Trajnimi na mundësoi që të njihemi më mirë me teknikat e aktivizmit rinor, të jemi më të vetëdijshëm për aspektin ekologjik dhe të jemi qytetarë të ndërgjegjshëm”, theksoi Festina Mustafa, mobilizatore e komunitetit. “Zbulimi dhe raportimi i ndotësve të mundshëm është vërtet i rëndësishëm, jo vetëm për ne, por për të gjithë qytetin. Vetëdija për një mjedis të pastër ekologjik duhet të fillojë nga ne”, tha Muhamet Useini, pjesëmarrës në trajnim.
Qendra për edukim dhe zhvillim do të vazhdojë me aktivitetet e saj edhe pas zbulimit të ndotësve, dhe pritet që ata të jenë pjesë e ekspozitës dhe të tregohet publikisht se cilët janë ndotësit kryesorë në Komunën e Tetovës.
Realizimi i trajnimit është bërë i mundur nga projekti “Mbështetje për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut ” i Qeverisë së Zvicrës i cili realizohet nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES), kurse grantet administrohen nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (MCIS).