Mbrojtja e demokracisë dhe integritetit zgjedhor – konferenca përfundimtare për Zgjedhjet Lokale 2025

Iniciativa inovative - mobilizues të komunitetit, Mobilizuesit e komunitetit

Më 17 shkurt 2026 në Shkup u mbajt konferenca përfundimtare “Mbrojtja e Demokracisë dhe Integritetit Zgjedhor – Monitorimi i Abuzimit të Burimeve Administrative, Reklamimit Politik dhe Fushatave të Palëve të Treta”. Konferenca mundësoi prezantimin dhe diskutimin e gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore që rezultuan nga monitorimi i aspekteve të ndryshme të Zgjedhjeve Lokale 2025.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjetjet nga monitorimi i abuzimit të mundshëm të burimeve administrative në 26 komuna, si dhe rekomandimet për avancimin e integritetit zgjedhor në ciklet e ardhshme zgjedhore. Gjithashtu, u prezantuan rezultatet e mbështetjes së 10 organizatave të shoqërisë civile dhe ngritjes së kapaciteteve të 70 vëzhguesve për monitorimin e zgjedhjeve.

Diskutimi përfshiu edhe gjetjet, boshllëqet dhe sfidat kryesore lidhur me reklamimin politik në natyrë gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025, si dhe aspektet e fushatës zgjedhore në sferën online, duke përfshirë abuzimin e burimeve administrative, shpenzimin e mjeteve financiare për reklama politike të paguara dhe sponsorizime, si dhe financimin e kandidatëve nga palë të treta.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të partive politike, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, institucioneve shtetërore, njësive të vetëqeverisjes lokale, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit ndërkombëtar dhe palëve të tjera relevante. Ambasadori i Zvicrës, Christoph Sommer, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e sigurimit të kushteve të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor dhe përgjegjësinë e përbashkët për ruajtjen e integritetit zgjedhor.

Në kuadër të aktivitetit u promovuan gjithashtu tre raporte që trajtojnë abuzimin e burimeve administrative gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025, gjetjet kryesore të monitorimit dhe fushatat e zhvilluara nga palë të treta.

Konferenca u realizua në kuadër të Programit për Mbështetje Zgjedhore, të mbështetur nga Qeveria e Zvicrës.

Galeri