RRETH AKADEMISË PËR POLITIKA PUBLIKE
Akademia për Politika Publike (APP) është një program për ndërtimin e kapaciteteve, i dedikuar për anëtarët e forumeve rinore të partive politike në Maqedoninë e Veriut, me qëllim forcimin e pjesëmarrjes së tyre domethënëse në proceset zgjedhore dhe politike. Akademia synon të përmirësojë aftësitë e politikanëve të rinj për të promovuar llogaridhënien politike dhe për të kontribuar në një kulturë politike të bazuar në qeverisje demokratike.
Duke njohur ndikimin e rëndësishëm zgjedhor dhe politik të të rinjve në demokracitë në zhvillim, Programi Zviceran për Mbështetjen e Zgjedhjeve synon t’i fuqizojë të rinjtë që të përfshihen në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin me partitë politike dhe hartuesit e politikave publike, si dhe të kontribuojnë në formësimin e politikave publike në një mënyrë domethënëse dhe me ndikim. Në periudhën 2019–2025, katër gjenerata të forumeve rinore partiake morën pjesë në Akademi, duke bashkuar një grup të larmishëm prej 90 politikanësh të rinj nga i gjithë spektri politik. Duke u mbështetur në këtë përvojë, Gjenerata e Pestë e APP-së do të vendosë theks të veçantë në forcimin e përfaqësimit të të rinjve brenda partive politike, përmirësimin e qasjeve zgjedhore inovative dhe efektive, si dhe mbështetjen e angazhimit parazgjedhor dhe paszgjedhor të pjesëmarrësve brenda partive të tyre.
Qëllimet specifike
Qëllimet specifike të gjeneratës së pestë të akademisë janë:
- Forcimi i kapaciteteve të përfaqësuesve të forumeve rinore të partive politike për angazhim konstruktiv në përputhje me standardet etike dhe demokratike, përmes dialogut, përfshirjes dhe pjesëmarrjes politike paqësore;
- Pajisja e pjesëmarrësve me njohuri dhe aftësi praktike për zhvillimin dhe avokimin e politikave mjedisore të përgjegjshme, si të mira publike të përbashkëta;
- Nxitja e bashkëpunimit ndërpartiak, e kulturës politike demokratike dhe e komunikimit jopolarizues ndërmjet aktorëve të rinj politikë.
AKADEMIA DO TË REALIZOHET GJATË NJË PERIUDHE NJËVJEÇARE DHE DO TË PËRBËHET NGA KOMPONENTËT E MËPOSHTËM:
Faza I: Të mësuarit dhe ndërtimi i kapaciteteve (gjysma e parë e vitit 2026)
- Tre punëtori intensive edukative treditore (e premte – e diel)
Në kuadër të Akademisë do të angazhohen ligjërues nga segmente të ndryshme të shoqërisë, përfshirë akademikë, zyrtarë të lartë shtetërorë, ministra aktualë dhe ish-ministra, deputetë, liderë të rinj politikë që ushtrojnë funksione publike, drejtorë ekzekutivë, etj. Programi do të pasurohet gjithashtu me përfshirjen e ligjëruesve nga sektori civil, ekspertë nga fusha e mjedisit, kulturës dhe/ose fusha të tjera, si dhe trajnerë të afirmuar nga jashtë vendit.
Faza II: Zbatimi praktik i njohurive (gjysma e dytë e vitit 2026)
- Një trajnim interaktiv për menaxhimin e ciklit të projektit dhe zhvillimin e politikave publike;
- Hartimi i një dokumenti të politikave publike, i plotësuar me aktivitete në kuadër të zbatimit të iniciativave inovative;
- Prezantimi i dokumentit të politikave publike.
Zhvillimi i dokumentit të politikave publike dhe zbatimi i aktiviteteve do të mbështeten gjatë gjithë procesit përmes udhëzimit të strukturuar hap pas hapi dhe mentorimit nga IFES-i. Me qëllim mbështetjen e angazhimit në komunitetet lokale, çdo pjesëmarrës do të marrë mbështetje për realizimin e aktiviteteve të identifikuara dhe të dakorduara.
Aktivitete shtesë pas përfundimit të Akademisë për Politika Publike
- Një vizitë studimore në një vend të rajonit ose në një shtet anëtar të BE-së do të organizohet si pjesë e programit. Pjesëmarrja në vizitën studimore do të kushtëzohet me përfundimin e susksesshëm të aktiviteteve të akademisë, përfshirë pjesëmarrjen në punëtori dhe hartimin e dokumentit të politikave publike, të shoqëruar me implementimin e një Iniciative Inovative. Vizita studimore do të realizohet pas përfundimit të programit, në gjysmën e parë të vitit 2027, dhe do të përfshijë një grup të përzgjedhur pjesëmarrësish nga gjenerata e katërt dhe e pestë e Akademisë;
- Evente alumni që do të bashkojnë pjesëmarrësit nga të pesë gjeneratat e Akademisë për Politika Publike.
Për të marrë certifikatën dhe mundësinë për të marrë pjesë në një vizitë studimore jashtë vendit, kandidatët e përzgjedhur duhet t’u përkushtohen plotësisht të gjitha komponentëve të programit:
- Pjesëmarrje aktive në të gjitha aktivitetet e Akademisë, përfshirë tri punëtori edukative (shkurt – qershor 2026) dhe trajnimin interaktiv për menaxhimin e ciklit të projektit dhe zhvillimin e politikave publike (gusht/shtator 2026);
- Hartimi dhe prezantimi i një dokumenti të politikave publike, i plotësuar me dizajnimin dhe zbatimin e aktiviteteve në kuadër të Iniciativës Inovative.
KORNIZA KOHORE
Realizimi i aktiviteteve për gjeneratën e pestë të akademisë do të zhvillohet në periudhën nga shkurti deri në dhjetor 2026.
ÇFARË DO TË PËRFITOJNË PJESËMARRËSIT E AKADEMISË PËR POLITIKA PUBLIKE?
- Njohuri të thella dhe të strukturuara mbi proceset politike në vend, rolin e partive politike në një kontekst pluralist, rëndësinë e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor, hartimin e politikave publike dhe mënyrat e zbatimit të tyre, teknikat dhe aftësitë e komunikimit, të folurit në publik dhe debatimin;
- Materiale trajnimi, analiza të ndryshme dhe dokumente të politikave publike si mbështetje e njohurive të fituara dhe e përvojës së ndarë nga ekspertë dhe trajnerë vendor dhe ndërkombëtar;
- Mentorim, mbështetje reciproke dhe mbështetje individuale në përgatitjen e dokumenteve të politikave publike të fokusuara në adresimin e nevojave të qytetarëve;
- Mbështetje për zbatimin e aktiviteteve në kuadër të iniciativave inovative, që përfshijnë hulumtimin e politikës së zhvilluar dhe/ose zgjidhjeve të propozuara, si dhe testimin dhe promovimin e politikës brenda komuniteteve të prekura dhe partisë politike;
- Mundësi për avancimin e njohurive dhe zhvillimin individual të karrierës si politikan/e apo lider/e i/e ardhshëm/me, si dhe për rrjetëzim, diskutim dhe shkëmbim idesh me kolegë politikanë nga partitë politike në vend;
- Mirënjohje nga Ambasada e Zvicrës përmes dhënies së një certifikate pjesëmarrjeje;
- Mundësi për të qenë pjesë e ngjarjeve rajonale, shkëmbimeve dhe mbështetjes me liderë të tjerë të rinj, si dhe për pjesëmarrje në shkëmbime ndërkombëtare dhe vizita studimore në vende që zbatojnë politika dhe aktivitete të ngjashme në komunitet;
- Aktivitete të vazhdueshme në kuadër të një rrjeti të gjerë alumni.
Kriteret për pjesëmarrje:
- të jetë përfaqësues/e i/e forumeve rinore të partive politike (18–29 vjeç);
- të ketë përvojë në fushën e shkencave dhe disiplinave shoqërore (shkenca politike, ekonomi, sociologji, mjedis, marrëdhënie ndërkombëtare, kulturë, filozofi, etj.);
- të posedojë aftësi të forta analitike dhe aftësi për punë në ekip
- të mos ketë marrë pjesë më parë në të njëjtën apo në një akademi të ngjashme;
- njohja e gjuhës angleze do të konsiderohet përparësi;
- përvoja e punës do të konsiderohet përparësi.
Meqenëse Akademia është e dedikuar për anëtarë të partive politike, pritet që pjesëmarrësit të kenë mbështetje nga partia e tyre politike, veçanërisht në nivel lokal, si dhe komunikim të rregullt me strukturat përkatëse partiake gjatë gjithë programit.
Të gjithë kandidatët e interesuar duhet ta plotësojnë aplikimin në linkun e mëposhtëm, jo më vonë se data 7 shkurt 2026.
Është e detyrueshme që në formular të bashkëngjitet një biografi e shkurtër (CV) dhe një letër motivimi.
Në letrën e motivimit është e detyrueshme të përfshihen disa fjali për një problem ose sfidë lokale në komunitet, e cila mund të shërbejë si bazë për zhvillimin e dokumentit të politikave publike (siç shpjegohet më sipër).
Ju lutemi të keni parasysh se do të shqyrtohen vetëm aplikimet e plota. Aplikimet që nuk i plotësojnë të gjitha kushtet do të konsiderohen të pavlefshme.
Kandidatët e parazgjedhur do të ftohen në një intervistë të shkurtër përmes Zoom-it.
Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen jo më vonë se 18 shkurt 2026
Gjatë përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë do të merret parasysh përfaqësimi politik, etnik, gjinor, gjeografik dhe social.
Të gjitha shpenzimet e programit (përfshirë udhëtimin, akomodimin dhe ushqimin) do të mbulohen nga organizatori.
PYETJE?
Nëse keni pyetje në lidhje me Akademinë dhe/ose procesin e aplikimit, ju lutemi kontaktoni Cvetanka Mihajlovska në: cvetanka@frp.mk
