Kur fillojnë fushatat zgjedhore, politika shpesh duket si një lojë e rezervuar për ata me zërat më të fortë. Por në vitin 2025, në qytete si Strumica, Velesi, Gostivari dhe Kumanova, nisi të shfaqej diçka ndryshe. Për herë të parë, personat me aftësi të kufizuara jo vetëm që përmendeshin në programet partiake, por uleshin në tryezë dhe kontribuonin drejtpërdrejt në hartimin e këtyre programeve.
Ky ndryshim i qetë, por i fuqishëm, u nxit nga Programi i fuqizimit i Inkluziva’s, i zbatuar në kuadër të Programit për mbështetje zgjedhore Zviceran (ESP), me mbështetje teknike nga Fondaconi ndërkombëtar për sisteme zgjedhore – IFES. Nga marsi deri në shtator 2025, iniciativa bashkëpunoi me katër parti politike, LSDM, VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja ZNAM, duke sjellë personat me aftësi të kufizuara në qendër të vendimmarrjes në politikën lokale.
Nga dëgjimi te udhëheqja. Gjithçka filloi me dëgjimin. Përmes vlerësimeve të nevojave dhe konsultimeve, Inkluziva identifikoi barrierat që i përjashtonin personat me aftësi të kufizuara nga jeta politike: zyra pa qasje, mungesën e materialeve të përshtatura dhe, mbi të gjitha, mungesën e vetëdijes tek anëtarët e partive për atë se çfarë do të thotë realisht përfshirja.
Mënyra e zbatimit të programit ishte njëkohësisht praktike dhe fuqizuese. Njëzet pjesëmarrës, përfshirë tetë persona me aftësi të kufizuara, pranuan mentorim individual dhe trajnime të përshtatura. Ata mësuan si të avokojnë për të drejtat e tyre brenda strukturave partiake, të përgatisin porosi fushate dhe madje të hartojnë masa për pëemisimin e qasjes për degët lokale.
Për shumë prej tyre, ishte hera e parë që trajtoheshin si aktorë politikë dhe jo si përfitues të vullnetit të mirë. Një pjesëmarrës nga Strumica në lidhje me këtë tha:
“E kuptova se nuk kam nevojë të pres që dikush të flasë për mua, unë mund të jem ai/ajo që propozon ndryshimin.”
Nga fjalët në veprim. Secila parti pjesëmarrëse e solli përfshirjen në jetë në mënyrën e vet. Në Strumicë, dega e LSDM-së e bëri përfshirjen një prioritet të dukshëm: dy persona me aftësi të kufizuara u përfshinë në listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë, ndërsa njëri u bë anëtar i udhëheqjes së Forumit të Grave. Materialet e fushatës u shtypën në formate të qasshme dhe videot me titra arritën edhe deri tek publiku dhe që më parë ishin të përjashtuar nga këto përmbajtje .
Në Veles, dega e VMRO-DPMNE-së e integroi aksesueshmërinë në planifikimin urban. Shkolla fillore “Panko Brashnarov” filloi ridizajnimin e oborrit me elemente loje gjithëpërfshirëse, ndërsa dhomat senzoriale në shkollat fillore u bënë pjesë e peizazhit arsimor të qytetit. Për herë të parë, një kandidat për kryetar komune u identifikua publikisht si person me disleksi, duke treguar se përfshirja ka shumë fytyra.
Në Gostivar, Aleanca për Shqiptarët krijoi një shembull të politikëbërjes pjesëmarrëse. Personat me aftësi të kufizuara ndihmuan në formësimin e platformës zgjedhore lokale të partisë, duke siguruar që arsimi gjithëpërfshirës, trotuaret e aksesueshme dhe shërbimet sociale të bëheshin prioritete komunale.
Ndërsa në Kumanovë, Lëvizja ZNAM e çoi mesazhin edhe më tej. Programi i tyre zgjedhor lokal imagjinonte një “qytet pa barriera” – nga shtigjet taktile dhe sinjalet zanore te autobusët, sallat sportive dhe shërbimet digjitale të aksesueshme. Ngjarja kryesore e fushatës ishte plotësisht e aksesueshme, me përkthyes të gjuhës së shenjave, dhe lista e kandidatëve përfshinte një të ri me aftësi të kufizuara, tashmë aktiv në udhëheqjen e Klubut Rinor të partisë.
Një valë përtej programit. Fryma e përfshirjes u përhap edhe më tej nga sa pritej. Të frymëzuar nga programi, disa kandidatë të pavarur dhe parti më të vogla filluan të ndërmarrin hapa vullnetarë drejt aksesueshmërisë, duke prodhuar video me titra, duke përfshirë kandidatë me aftësi të kufizuara në listat e tyre dhe duke bërë angazhime publike për barazi.
Mes tyre ishte edhe Goran Stojkovski – Diro, kandidat i pavarur për kryetar komune në Kumanovë, fushata e të cilit përfshinte një kandidat të verbër që theksonte barrierat reale të lëvizshmërisë në qytet. Këto veprime mund të duken të vogla, por ato simbolizojnë diçka më të madhe: një zgjim të vetëdijes politike se përfshirja e aftësisë së kufizuar është pjesë e besueshmërisë demokratike.
Çfarë ndryshoi dhe çfarë vjen më pas. Ndryshimi rrallë ndodh brenda natës, por shenjat janë të qarta. Degët politike u bënë më të vetëdijshme, programet zgjedhore të vitit 2025 ishin më gjithëpërfshirëse dhe individët që dikur shiheshin si të jashtëm tani njihen si kontribuues.
Përmes mentorimit, Inkluziva ndihmoi ta shndërrojë përfshirjen nga një ideal abstrakt në një sërë veprimesh konkrete dhe të matshme, si ndërtimi i rampave, videot e fushatës me titra, takimet e aksesueshme dhe hapja e hapësirave të reja për dialog.
Mësimet janë të thjeshta, por të thella: kur personave me aftësi të kufizuara u jepet mundësia dhe mjetet për të marrë pjesë, partitë politike përgjigjen me hapje. Punëtoria ndërpartiake, ku përfaqësues nga kampe të ndryshme politike u ulën së bashku për të diskutuar aksesueshmërinë, dëshmoi se përfshirja mund të jetë edhe një urë mbi ndarjet politike.
Megjithatë, sfida mbeten. Jo çdo parti avancoi me të njëjtin ritëm dhe kufizimet e burimeve e kufizuan angazhimin e disa pjesëmarrësve. Por, siç vuri në dukje një mentor nga Inkluziva:
“Hapi më i rëndësishëm tashmë ka ndodhur , njerëzit tani e shohin përfshirjen si diçka të mundshme, jo opsionale.”
Thirrje për vazhdimin e vrullit. Programi i fuqizimit tregoi se përfshirja lulëzon aty ku angazhimi takon mundësinë. Rezultatet e tij nuk duhet të mbeten arritje të njëhershme, por të shërbejnë si themel për të ardhmen.
Zgjerimi i mentorimit, integrimi i përfshirjes së aftësisë së kufizuar në kurrikulat kombëtare të partive dhe sigurimi i monitorimit të vazhdueshëm janë hapat kyç të radhës. Siç përfundon raporti, suksesi i vërtetë i kësaj iniciative nuk qëndron vetëm në atë që u arrit në vitin 2025, por në ndryshimin e mendësisë që ajo ka nxitur në gjithë spektrin politik të vendit.
Puna e Inkluziva-s dëshmoi se pjesëmarrja politike e personave me aftësi të kufizuara nuk është favor – është e drejtë, domosdoshmëri demokratike dhe burim force për shoqërinë në tërësi.
“Përfshirja nuk është bamirësi. Është demokraci në veprim.”
Historia e Programit të fuqizimit është një përkujtim për të gjithë ne se çdo rampë që e mundëson qasjen, çdo video me titra dhe çdo listë kandidatësh që përfshin persona me aftësi të kufizuara tregon të njëjtën histori , atë të një demokracie që më në fund fillon të ngjajë me njerëzit që përfaqëson.
Autor: Përshtatur nga Raporti final i Inkluziva-s (2025) për Programin e fuqizimit
Mohim përgjegjësie: Programi për mbështetje zgjedhore është një projekt i qeverisë së Zvicrës i zbatuar nga nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES). Përmbajtja e këtij shkrimi nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë se pasqyrojnë pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës dhe IFES-it.
