Aktivitetet mediatike në periudhën paszgjedhore, integriteti i gazetarëve, raportimi objektiv dhe ndjekja e procesit zgjedhor, si dhe nevoja për ngritjen e kapaciteteve në gazetari për avancimin e profesionit, ishin disa nga temat që u diskutuan në aktivitetin e sotëm, në kuadër të Javës së Edukimit Mediatik. Ky aktivitet u realizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES).
Ngjarja u nda në dy sesione. Tema e sesionit të parë ishte – Respektimi i integritetit në gazetari: garantimi i transparencës në ndjekjen e sukseseve të politikave qeveritare, ku diskutuan Sashka Cvetkovska nga IRL, Vasko Popetreski nga “360 Shkallë”, Ana Petrusheva nga BIRN dhe Miomir Serafinoviç nga TV Telma. Sesioni i dytë kishte temën – Akademia e Trajnimit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë si forcë shtytëse për rritjen e kapaciteteve të punonjësve mediatikë, garantimi i integritetit dhe transparencës, ku përvojat dhe pikëpamjet e tyre i ndanë Llazar Sandev, që foli për aspektet ligjore të trajnimit të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, Marina Tuneva që theksoi dimensionin etik të trajnimit, dhe Besim Nebiu që foli për forcimin e profesionalizmit përmes trajnimeve të dedikuara gazetarëve.