Thirrje për aplikime për pjesëmarrje në Akademinë e Politikave Publike

Rinia e partive politike, Punëtori dhe trajnime

RRETH AKADEMISË PËR POLITIKA PUBLIKE

Akademia për Politika Publike (APP) është e dedikuar për përfaqësuesit e rinisë së partive politike në Maqedoninë e Veriut me qëllim edukimin dhe ngritjen e liderëve të ardhshëm politik dhe shoqëror, të pajisur me vlera dhe njohuri të përgjithshme dhe specifike për proceset politike në vend.
Qëllimi i APP-së është të inkurajojë dhe edukojë anëtarët e rinive të partive që të kontribuojnë në një shprehje më të mirë të ideve dhe koncepteve të tyre për një shoqëri më të mirë dhe një hapësirë publike pluraliste demokratike. Akademia synon gjithashtu të mësojë dhe të përgatisë pjesëmarrësit për zgjedhjet dhe gjithë procesin zgjedhor. Pjesëmarrësit do të mësojnë se si krijohen politikat publike, si ndikohen ato dhe si të aplikojnë një qasje të bazuar në fakte, në bërjen e politikave publike.
Akademia përmban komponentët e mëposhtëm:

• Katër punëtori gjithëpërfshirëse – treditore;
• Udhëzime hap pas hapi, mentorim dhe këshillim për zhvillimin e dokumentit të shkurtër
për politikat publike;
• Angazhim me komunitetet lokale dhe/ose palët e interesuara për çështjet me relevancë
përmes debateve dhe diskutimeve tematike;
• Një vizitë studimore në rajon ose në një vend nga Bashkimi Evropian (kusht paraprak për
pjesëmarrje në vizitën e fundit studimore jashtë vendit është përfundimi i të gjitha aktiviteteve të Akademisë, përfshirë punëtoritë).
Në Akademi do të angazhohen ligjerues nga anët e ndryshme të spektrit social – akademikë, politikëbërës dhe vendimmarrës të njohur, ministra aktual dhe ish-ministra, drejtorë ekzekutiv, deputetë ose nëpunës të lartë civilë. Programi do të përforcohet me përfshirjen e ligjeruesve nga shoqëria civile dhe kultura, si dhe trajnues të afirmuar nga jashtë.
Pjesëmarrësit e APP-së do të kenë gjithashtu mundësinë të krijojnë rrjet me politikëbërësit vendas publikë dhe privatë, si dhe me organizatat ndërkombëtare të vendosura në Maqedoninë e Veriut (OECD, UNESCO, etj.) dhe në mbarë botën.

KRITERET PËR PJESMARRJE:
• Të jetë anëtar/e i/e rinisë të një partie politike (deri në 29 vjeç);
• Të mos ketë marrë pjesë në Akademi të njëjtë ose të ngjashme;
• Të ketë përvojë në fushën e shkencave dhe disiplinave shoqërore (shkenca politike,
ekonomi, sociologji, marrëdhënie ndërkombëtare, kulturë, filozofi, etj.);
• Të ketë aftësi të forta analitike dhe aftësi për të punuar në grup;
• Njohja e gjuhës angleze do të konsiderohet përparësi;
• Përvoja e punës do të konsiderohet përparësi.
Për të fituar çertifikatë, kandidatët/et e përzgjedhur/a duhet të jenë të përkushtuar/a ndaj të gjithë komponentave të programit:
• Pjesëmarrje aktive në të gjitha aktivitetet e Akademisë;
• Hartimi i një Dokumenti për Politikat Publike;
• Prezantimi i Dokumentit për Politikat Publike brenda partisë;
• Angazhim me komunitetet lokale dhe/ose palët e interesuara për temat që lidhen
me Dokumentin e Politikave Publike.

ÇFARË DO TË FITOJNË PJESËMARRËSIT NË AKADEMINË E POLITIKAVE PUBLIKE?
• Njohuri të plota dhe të strukturuara të proceseve politike në vend, rolin e partive politike në një kontekst plural, rëndësinë e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor, krijimin e politikave publike dhe mënyrat e zbatimit të tyre, teknikat dhe aftësitë e komunikimit, të folurit dhe debatin publik;
• Materiale për trajnim, analiza dhe dokumente të ndryshme për politikat publike si mbështetje për njohuritë dhe përvojën e ndarë nga ekspertë dhe trajnerë vendas dhe ndërkombëtarë;
• Mentorim dhe mbështetje individuale në përgatitjen e dokumenteve për politikat publike të fokusuara në zgjidhjen e nevojave të qytetarëve;
• Mundësi për promovim të politikave përmes prezantimeve para komuniteteve të prekura dhe brenda vetë partisë politike;
• Mundësi për të avancuar njohuritë dhe zhvillimin e karrierës individuale si politikan/e apo lider/e i/e ardhshëm/me, por edhe për t’u lidhur, diskutuar dhe shkëmbyer ide me kolegë/e politikanë/e nga partitë politike në vend;
• Njohje nga Ambasada Zvicerane me dhënien e çertifikatës së pjesëmarrjes;
• Mundësi për të qenë pjesë e eventeve rajonale me liderë të rinj, por edhe për të marrë pjesë në shkëmbime ndërkombëtare dhe vizita studimore në vendet që zbatojnë politika
dhe aktivitete të ngjashme në komunitet;

KORNIZA KOHORE
Zbatimi i aktiviteteve për gjeneratën e tretë të pjesëmarrësve do të bëhet në periudhën nga shtatori 2022 deri në qershor 2023.
Të gjithë kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë aplikacionin në këtë link më së voni deri më 5 shtator 2022.
Aplikantët/et do të njoftohen për përzgjedhjen e tyre deri më 12 shtator 2022. Kandidatëve të përzgjedhur mund t’u kërkohet të marrin pjesë në një intervistë të shkurtër përmes telefonit ose Zoom-it.

SHËNIM: Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen për intervistë.
Gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për pjesëmarrje në Akademi, do të merret parasysh përfaqësimi politik, etnik, gjinor, gjeografik dhe social i pjesëmarrësve.
Punëtoria e parë do të mbahet në datat 30 shtator – 2 tetor 2022, në Hotel Radika, Leunovë.
Të gjitha shpenzimet për këtë program (përfshirë udhëtimin, akomodimin dhe ushqimin) do të mbulohen nga organizatori.

PYETJE?
Nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me Akademinë dhe/ose procesin e aplikimit, ju lutemi kontaktoni Cvetanka Mihajlovska në email: cvetanka@frp.mk

RRETH PROJEKTIT “MBËSHTETJA E REFORMAVE ZGJEDHORE NË MAQEDONINË E VERIUT”
Akademia e Politikave Publike është pjesë e projektit “Mbështetja e Reformave Zgjedhore në Maqedoninë e Veriut” i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) dhe partneri i saj Forumi për politika të arsyeshme.
Qëllimi kryesor i projektit është të mbështesë proceset zgjedhore demokratike dhe të besueshme që do të lehtësojnë pjesëmarrjen politike dhe integrimin social, duke u mundësuar votuesve të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre dhe t’i mbajnë ata përgjegjës.
Aktivitetet e projektit synojnë arritjen e tre rezultateve:
• Institucione të forcuara që zbatojnë procese zgjedhore të drejta dhe efikase;
• Parti politike të demokratizuara brenda vendit që paraqesin politika dhe programe
zgjedhore të orientuara drejt qytetarëve;
• Qytetarë të fuqizuar të cilët bëjnë thirrje për llogaridhënie nga partitë politike dhe
zyrtarët e zgjedhur.

Përfitues nga projekti janë autoritetet për zbatimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet; Institucionet qeveritare dhe agjencitë si: Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës, Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-Vizuale Mediatike, Enti Shtetëror i Statistikave, Avokati i Popullit, Enti Shtetëror i Revizionit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë; partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe votuesit.
Projekti filloi zbatimin e Fazës kryesore 1 në gusht 2019 dhe pritet të përfundojë në qershor 2023.

Galeri