NOVUS: Të rinjtë pyesin, deri ku është Këshilli rinor lokal i premtuar në komunën e Strumicës?

Iniciativa inovative - mobilizues të komunitetit, Ngjarje publike, Mobilizuesit e komunitetit

Nuk ka komunë sipas nevojës së të rinjve nëse nuk ka Këshill rinor lokal, thonë nga shoqata “Novus”, e cila më 26 janar 2023 organizoi simulimin e këtij organi për të rinjtë e Strumicës. Në hapësirat e Shtëpisë së ARM-së, gjithsej 31 pjesëmarrës patën mundësinë të shohin se si duhet të duket një seancë e një Këshilli rinor lokal dhe pse është e rëndësishme të themelohet dhe të jetë funksional.

Aktiviteti ishte i dedikuar për të gjithë qytetarët, por fokusi ishte te të rinjtë. Për organizatorët është e rëndësishme të ngrihet mendimi kritik i të rinjve dhe t’i motivojë ata që të jenë krijues aktivë të së ardhmes së tyre. Një nga mënyrat është të kërkojnë të drejtat që u takojnë me ligj dhe në ligj, sipas “Novus”, thuhet qartë se çdo komunë duhet të ketë një Këshill rinor lokal funksional.

“Qëllimi ynë është të shohim se ku po shkon rinia dhe me çfarë problemesh dhe pengesash përballen, që së bashku të gjejmë zgjidhje për ato pengesa. Të rinjtë duhet të dëgjohen, sepse prej tyre varet zhvillimi i komunës sonë. Me ndihmën e këtij simulimi, ne përfitojmë përvoja të reja dhe më e rëndësishmja, mësojmë se si të marrim vendime. Duam të tregojmë se ka të rinj që mendojnë dhe nuk kanë frikë të shprehin mendimet e tyre”, tha Ivan Vangelov, pjesëmarrës në simulim.

Për Filip Todorov, gjithashtu pjesëmarrës në simulim, ai shkoi mirë dhe mund të rezultojë në formimin e një Këshilli të vërtetë rinor lokal. “Interesimi është mjaftë i madh dhe për këtë arsye jam i motivuar të vazhdoj të luftoj dhe të kontribuoj në ndryshimet që i duhen këtij vendi, të cilat vetëm të rinjtë mund t’i inkurajojnë”, tha ai.

“Novus” planifikon të vazhdojë me një fushatë që do të zhvillohet nën moton “Frymëzoni pjesëmarrjen e të rinjve për një komunë sipas nevojës së të rinjve”, dhe synimi i të cilit do të jetë vetëdijësimi i publikut se të rinjtë janë pjesë e politikave sociale dhe kanë të drejtë të marrin pjesë në krijimin e tyre. Gjithashtu është planifikuar një tryezë e rrumbullakët me kryetarin e komunës.

Realizimi i këtyre aktiviteteve është mundësuar nga projekti ” Mbështetje për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut” i Qeverisë së Zvicrës i cili zbatohet nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES), kurse grantet administrohen nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN).

Galeri